Ditën e sotme kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua dhe u dërgua në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza. Ndërsa ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Xoxa ndodhej jashtë vendit dhe mësohet se ajp po kthehet në Shqipëri me linjën e fluturimit Romë-Rinas.
“Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më datë 24.01.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 7 Akti/datë 09.02.2025 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasen nën hetim AJOLA XOXA., si e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.