Prokuroria e Posaçme ka listuar të gjitha akuzat kundër kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, që u arrestua ditën e sotme në bashki. Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa duhet të përballet me masën e sigurisë arrest shtëpie, 5 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha detyrim paraqitjeje. Arrest me burg është caktuar për Elman Abule, përfaqësues i RAMETAL (ish “METALFORM”), masë që ende nuk është ekzekutuar.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Veliaj akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndaj bashkëshortes së tij, SPAK thotë se rëndojnë akuzat korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie. Ndërkohë të 5 biznesmenët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv. Në hetim, SPAK njofton se ka vënë në hetim edhe një deputete (Klotilda Bushka), që sipas prokurorisë së posaçme ka penguar zbulimin e së vërtetës. Dy prokurorët që hetuan çështjen janë Ols Dado dhe Altin Dumani.
“Organi procedues ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “R.” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim E. A., kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.
Më pas, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të cilat konsistojnë në integrimin në sistemin bankar të këtyre shumave monetare, të siguruara si përfitime të parregullta, por edhe të fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë së pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të ligjit material, shtetasit nën hetim dyshohet se kanë përmbushur elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal (“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” njofton SPAK.