Pas dy rasteve me meningit në Durrës, prindërit janë të frikësuar dhe kanë nisur të porosisin vaksina në vendet fqinje.
Shefja e shërbimit të pediatrisë infektive, profesoreshë Xhorxhina Kuli tha se situata nuk është alarmante pasi meningit ka pasur gjithmonë. Ajo shpjegoi se meningiti mund të shfaqet pas virozave.
“Do të thosha që ne meningit kemi pasur dhe do të kemi, më i shpejti, ai që nuk të lë kohë të marrësh vendime, është meningiti meningokoksik. Zakonisht shfaqet pas virozëve. Meningokoku ndodhet kudo në natyrë, ne nuk e shmangim dot dhe ai është në të gjitha vendet. Problemi është që kur ke mukoza të paprekura, mund të biesh në kontakt dhe vetë trupi i bën një barrierë që nuk e lejon të kalojë në qarkullimin e gjakut apo në tru. Në momentet që këto mukoza prishen, që kalon një grip, mund të shfaqen shenjat e meningitit”, shpjegon mjekja.
Sipas mjekes nënat duhet të jenë të kujdesshme dhe të dallojnë shenjat e para.
“Nëse e diagnostikojmë herët, shpëtimi është 100%, nëse 12-24 orë, vihet në pikëpyetje ecuria e sëmundjes. Prindërit duhet të jenë vigjilent nëse shohin temperaturë të fëmijës dhe veçanërisht duhet të kenë mendjen nëse shohin pika në lëkurë”, thotë mjekja Kuli.