Në një debat të ashpër në Kuvend, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit për mosveprim në grumbullimin e djeshëm të punonjësve të Bashkisë së Tiranës para SPAK-ut.
Ai tha: “E palejuar që ministri të gënjejë hapur për një çështje publike. Imagjinoni çfarë raportimesh sjellin për ne në parlament për krimin, për luftën kundër kriminalitetit. Këta punojnë si batakçinj, si hajdutë të Bashkisë së Tiranës.”
Për këtë deklaratë, Elisa Spiropali reagoi menjëherë, duke e akuzuar Bardhin për fyerje të papranueshme: “Nuk ju lejoj që të quani njerëzit hajdutë e batakçinj pa vendim gjykate. Keni muaj që nuk respektoni dinjitetin e askujt.”
Bardhi iu përgjigj ashpër: “Po, do të pushoni tani”.
Spiropali nuk e ndali replikën dhe iu përgjigj: “Mos më drejtoni mua. Çdo herë që vij në anën e kësaj salle të nderuar, nuk lini njeri pa e futur në derën e SPAK-ut. Lejoni drejtësinë të bëjë punën e vet.
Nuk jua lejoj, keni quajtur njerëz të korruptuar, hajdutë nga ai mikrofon pa vendim gjykate. Respektoni prezumimin e pafajësisë, dinjitetin njerëzor. Keni ditë e vite që nuk respektoni minimunin njerëzor.
Sa herë që u vjen në derë, në anën tjetër nuk lini njeri pa I çuar para dyerve të SPAK për ti quajtur kriminelë e grup I strukturuar kriminal. Lejoni drejtësinë të bëjnë punën e saj pa ndikime politike e mediatike.
Bardhi: E para, mos e vuaj kaq shumë arrestimin e Erion Veliajt. Ndryshe nga ju, nuk jam në Kuvend për të ruajtur dinjitetin e dikujt, që me prova e fakte është në burg, jo vetëm si i korruptuar, por edhe si shantazhues. Ndryshe nga ju, nuk jam këtu për të mbyllur sytë.”