Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Janinë, ku një grua shqiptare 45-vjeçare, e cila kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje, u hodh nga dritarja e një hoteli pas zbulimit se ai e kishte gjetur.
Gruaja, e cila ka dy vajza, kishte kërkuar ndihmën e autoriteteve më 11 shkurt, duke denoncuar dhunën nga bashkëshorti. Policia e vendosi atë në një program mbrojtjeje dhe sugjeroi instalimin e një aplikacioni për sigurinë e saj, por ajo refuzoi dhe zgjodhi të fshihej me vajzat në një hotel në Janinë.
Sipas raporteve, kur ajo kuptoi se bashkëshorti i saj kishte gjetur vendndodhjen, ajo ra në panik dhe, në një akt dëshpërimi, u hodh nga dritarja e katit të tretë të hotelit. Ajo u dërgua menjëherë në spitalin e Janinës, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut, por ka pësuar plagë të rënda.
Vajza e saj tha se nuk kishte pasur dhunë fizike, vetëm kërcënime nga babai. Ndërkohë, menaxheri i hotelit tregoi se ai kishte ardhur në recepsion për ta kërkuar, dhe gruaja, sapo kuptoi se ai kishte gjetur vendndodhjen, u tmerrua dhe u hodh nga dritarja.