Një operacion i koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe italiane ka çuar në arrestimin e një 43-vjeçari shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shtetasi E.L., banues në Durrës, u lokalizua dhe u arrestua në Pogradec nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale (Fast Albania) në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 27”.
Ky individ ishte i kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh. Gjykata e Romës kishte caktuar në vitin 2016 masën “Arrest me burg” për të. Bashkëpunimi i Interpol Tiranës me homologët italianë është duke u vijuar për finalizimin e procedurës së ekstradimit të tij në Itali.