Pensionistët britanikë po zgjedhin Shqipërinë si destinacion ideal për të jetuar, sipas një artikulli të publikuar në mediat britanike “MailOnline”. Ujërat e kristalta dhe plazhet e arta të Shqipërisë janë përshkruar si një arsye kryesore pse vendi po tërheq kaq shumë pensionistë, duke i dhënë atij titullin “Maldivet e Evropës”.
Shqipëria është shndërruar në një destinacion turistik tërheqës, duke shënuar një rritje prej 56% të vizitorëve ndërkombëtarë midis 2019 dhe 2023. Megjithatë, për shumë pensionistë britanikë, kostoja e ulët e jetesës ka bërë që Shqipëria të jetë një opsion për një qëndrim më të gjatë sesa një pushim.
Ekspertët kanë theksuar se Shqipëria ofron një cilësi jetese të lartë, mot të bukur dhe norma të ulëta tatimore, duke e bërë atë tërheqës për emigrantët. Për pensionistët britanikë, Shqipëria ofron mundësinë e aplikimit për viza speciale dhe lehtësira tatimore për pensionet.
Shqipëria, e cila ka kaluar nga një diktaturë komuniste në një demokraci, është një vend miqësor për vizitorët, duke ofruar një kosto të jetesës 50% më të ulët se në Mbretërinë e Bashkuar.