Deputetja demokrate Jorida Tabaku mbajti sot fjalën gjatë prezantimit të programit ekonomik 2025-2029 të Partisë Demokratike, edhe në kuadër të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve të 11 majit.
Tabaku u shpreh se modeli aktual ekonomik nuk mund të vazhdojë të funksionojë vetëm për një pakicë të privilegjuar. Ajo nënvizoi se sipërmarrësit po përballen përditë me një sistem të pandershëm taksimi, një sistem të pandershëm incentivash ekonomike dhe taksash që nuk i ndihmon por i dekurajon në punën e tyre.
Sipas deputetes krijimi i një Kodi Fiskal do t’u shërbejë atyre dhe padyshim edhe Shqipërisë.
“Synimi është vendosja e rregullave të qarta loje, për të pasur një reformim fiskal dhe një garanci për këdo që do të luajë në treg dhe konkurrenca e ndershme.
Së dyti, pengesa më e madhe sipërmarrjeve është shteti. Penguesi dhe shkelësi më i madh i ligjit është shteti. Ai pengon konkurrencën dhe meritokracinë ndaj ne kemi menduar si ti ndryshojmë këto pika. E para, heqja e subvencioneve klienteliste që prekin një apo dy biznese. Shteti po e prish këtë konkurrencë në treg. Digjitalizimi i plotë për biznesin, ulja e kostove të energjisë për bizneset prodhuese dhe përpunuese për të nxitur industrializimin dhe prodhimin vendas.
Rishikimi i të gjitha PPP-ve për të eliminuar kontratat korruptive dhe për të ristrukturuar projektet që dëmtojnë tregun e lirë. Shqipëria ka nevojë për një ristrukturim efektiv të qeverisë dhe ristrukturim të buxhetit nga shpenzimet e kota. Kjo nis nga të gjitha shoqëritë që zotërohen nga shteti, deri tek pronat shtetërore.
Reforma e tregut të pronës për të formalizuar ekonominë dhe për të stimuluar investimet afatgjata.
Ristrukturimi i gjithë shpenzimeve të shtetit drejt një qeverie të vogël. Njëkohësisht dhe në reforma reale derregullatore pasi hiper-rregullimi i kushton shtrenjtë sipërmarrjes shqiptare por edhe biznesit shqiptar.
Shqipëria duhet të shkëputet nga një ekonomi e mbështetur në monopole dhe industria duhet të rivitalizohet dhe adaptohet për të kaluar në një ekonomi moderne dhe konkurruese.
Duhet të dalim nga ky model ekonomik ku punohet për 100 biznese dhe për të ndryshuar këtë model ekonomik arrihet përmes inovacionit dhe zhvillimit ekonomik që mungon në tregun shqiptar dhe që modeli ynë ekonomik bazuar mbi këtë program e mundëson.
Pasi duhet t’i japim fund një modeli ekonomik që përmirëson jetën dhe bilancin e 5% ndërsa pjesa tjetër punon për to.”, tha Tabaku.