Deputetja Jorida Tabaku kritikoi qeverinë për favorizimin e oligarkëve dhe monopolistëve, duke theksuar se ekonomia e komanduar ka shtuar barrën mbi bizneset shqiptare.
Ajo propozoi një sistem fiskal të thjeshtë dhe të drejtë, me taksën e sheshtë, për të siguruar mundësi të barabarta për konkurrencën dhe eliminimin e burokracisë që rëndon mbi bizneset.
Reagimi i plotë
Pengesa më e madhe sot për të bërë biznes është shteti. Ngarkesa më e madhe vjen nga shteti, jo vetëm për faktin që burokracia dhe taksat e larta rëndojnë mbi sipërmarrësit, por edhe sepse sot ekonomia është përqendruar në pak duar. Shteti po drejton praktikisht një ekonomi të komanduar, duke kufizuar konkurrencën dhe duke favorizuar monopole dhe oligopole.
Nuk ka më ekonomi tregu. Ndërkohë që sot sipërmarrja kërkon disa ndryshime themelore, të cilat janë të përfshira në programin ekonomik të Partisë Demokratike. Një prej tyre është miratimi i një kodi fiskal të qartë dhe të qëndrueshëm, një kushtetutë e taksave që përcakton rregulla të qarta për të ndihmuar jo vetëm investitorët e brendshëm, por edhe ata të huaj. Propozimi ynë për një taksë të sheshtë dhe të thjeshtë synon të ulë informalitetin dhe të stimulojë rritjen ekonomike.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është vendosja e rregullave të ndershme duke eliminuar të gjitha përjashtimet fiskale. Sot, përjashtimet nga rregulli janë kthyer në rregull, duke favorizuar sektorë të caktuar dhe duke krijuar monopole e oligopole që vrasin konkurrencën e lirë.
Programi ynë parashikon gjithashtu një reformë derregulluese për të lehtësuar ngarkesën mbi bizneset, duke eliminuar burokracinë e tepërt, e cila sot u kushton sipërmarrësve kohë, para dhe mund. Këto janë masa të domosdoshme për ta vendosur ekonominë shqiptare në shina të qëndrueshme dhe për t’i dhënë asaj frymëmarrjen e nevojshme.
Ekonomia shqiptare nuk mund të jetë ekonomi e pakicës apo e privilegjeve. Ajo duhet të jetë një ekonomi që punon për të gjithë njësoj, duke krijuar mundësi të barabarta për çdo qytetar dhe duke stimuluar meritokracinë edhe në biznes.