Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga qelia përmes një postimi në Facebook, ku ka përsëritur se ndodhet në burg pa akuza dhe i dënuar pa gjyq.
Në këtë mesazh, Veliaj ka bërë një thirrje për çiftet e reja që kanë fituar në fazën e parë të programit të kredive të buta për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për fazën e dytë, deri në datën 4 mars.
“Programi i kredisë së butë për çiftet e reja dhe familjet e pastreha është një nga projektet që kam më përzemër dhe gjatë këtyre viteve, pasi e rihapëm, kemi ndihmuar plot qytetarë të Tiranës që të blejnë shtëpinë e tyre me ndihmën e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.
Edhe pse ndodhem i mbyllur në qeli pa akuzë, i dënuar pa gjyq, dua të ftoj çdo qytetar që ka aplikuar gjatë fazës së parë të programit (ku u shpallën fitues 2237 aplikues), që të sjellin dokumentacionin e nevojshëm në fazën e dytë.
Deri më tani, në fazën e dytë, kanë dorëzuar dokumentacionin për kredi të butë shume prej aplikuesve, ndërkohë që ka kohë deri në datën 4 Mars. Çdokush që është shpallur fitues i Fazës së Parë duhet të dorëzojë dokumentacionin e plotë brenda datës 4 Mars (pranë sporteleve të Zyrës së Shërbimeve me një Ndalesë në Rr. e Kavajës), pasi janë plot 1200 kuota në dispozicion. Nxitoni! Përqafime”, shkruan Veliaj.