Presidenti i Emirateve Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan sot pasdite vizitoi Tiranën për rreth 2 orë. Presidenti Zayed Al Nahyan mbërriti në Rinas rreth orës 16:00 ku u prit nga Kryeministri Rama dhe më pas u nderua në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave.
Në kuadër të kësaj vizite u shkëmbyen marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit mes palëve, konkretisht:
-Marrëveshja Kuadër për Veprim mes Masdar, TAQA, KESH dhe OST, që u shkëmbyen mes Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe kryetarit të MASDAR Sulltan Al Jaber.
– Letër Angazhimi për Projektin Albania Smart City ndërmjet “Presight AI Ltd” dhe Ministrisë së Brendshme e Republikës së Shqipërisë, të shkëmbyera mes Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe Kryetarit të “Presight AI Ltd” Sulltan Al Jaber.
Marrëveshjet u shkëmbyen në një ceremoni të posaçme në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan erdhi në Tiranë në vizitën e tij të parë zyrtare si Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe.









