Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kundër prokurorit Ols Dado në lidhje me debatin dhe akuzat që shkëmbyen palët në seancën e pak ditëve më parë në seancën për masën e sigurisë. Gjykata thekson se deklaratat e Erion Veliajt janë të pavërteta dhe se prokurori Dado nuk e ka përdorur fjalën “ndyrësirë” kundrejt të parit të bashkisë së Tiranës, sikur pretendon Erion Veliaj.
“Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.
Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, shkruhet në reagimin e GJKKO-së.
Kryebashkiaku Veliaj publikoi ditën e sotme një pjesë të përplasjeve me prokurorin Ols Dado, që sipas tij, kanë ndodhur në sallën e gjyqit më datë 12 shkurt, kur u vendos konfirmimi i “arrestimit me burg”.