Diaspora për Shqipërinë e Lirë me anë të një postimi në rrjetin social ka dënuar ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të papranueshme të kryeministrit Edi Rama në sistemin e drejtësisë.
DPSHL reagon duke shprehur se këto ndërhyrje të Ramës shkelin Kushtetutën, parimet e shtetit të së drejtës dhe minon një herë e përgjithmonë ëndrrën Evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kryeministri ka bërë dhe vazhdon të bëjë deklarata të paprecedenta në historinë demokratike të shtetit shqiptar, duke tentuar të ushtrojë presion mbi organet e drejtësisë dhe të mbrojë individë të përfshirë në hetime apo të dënuar.
Kërkesat Urgjente të DPSHL:
• I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës që të mbrojë Kushtetutën dhe të dënojë publikisht ndërhyrjet e Kryeministrit në drejtësi.
• I kërkojmë SPAK të shqyrtojë deklaratat dhe veprimet e Kryeministrit dhe të marrë masat ligjore për çdo ndërhyrje të paligjshme në drejtësi.
• Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) të dalin me një deklaratë të qartë kundër ndërhyrjeve politike në drejtësi.
• Delegacioni i BE-së dhe Ambasada e SHBA të monitorojnë nga afër situatën dhe të kërkojnë respektimin e parimeve demokratike dhe të shtetit të së drejtës.”, shkruan DPSHL.