Presidenti Donald Trump njoftoi një iniciativë të re, ku SHBA do të shesë një “kartë ari” për të pasurit e huaj, duke u ofruar atyre mundësinë për të jetuar dhe punuar në SHBA. Çmimi për këtë kartë do të jetë 5 milionë dollarë dhe do të shërbejë si një rrugë drejt shtetësisë amerikane.
“Ne do të shesim një kartë ari”, tha Trump nga Zyra Ovale. “Ju keni një karton jeshil. Kjo është një kartë ari. Ne do të vendosim një çmim për atë kartë prej rreth 5 milionë dollarë dhe kjo do t’ju japë privilegje të kartës së gjelbër, plus do të jetë një rrugë drejt shtetësisë. Dhe njerëzit e pasur do të vijnë në vendin tonë duke blerë këtë kartë.”
Trump tha se kjo kartë do të zëvendësojë programin ekzistues të vizave për investitorët emigrantë dhe mund të tërheqë individë të pasur nga e gjithë bota, duke ofruar mundësi të mëdha për investime dhe zhvillim ekonomik.
Plani i tij pritet të fillojë pas dy javësh dhe mund të sjellë miliona aplikime.