Elon Musk ka pohuar se ka marrë kërcënime me vdekje për përpjekjet e tij për të ulur kostot dhe shkurtuar vendet e punës, gjatë një takimi me kabinetin e presidentit Donald Trump.
Musk theksoi se masat e tij për të zvogëluar deficitin e shtetit dhe për të përmirësuar eficiencën financiare janë thelbësore për shmangien e falimentimit të mundshëm të vendit.
“Ne si vend, thjesht nuk mund të mbajmë barrën e një deficiti prej 2 trilion dollarësh. Pagesat e interesit për borxhin kombëtar aktualisht i kapërcejnë shpenzimet vjetore të mbrojtjes. Nëse kjo vazhdon, vendi de facto shkon drejt falimentimit. Kjo është arsyeja që unë jam këtu dhe marr shumë kërcënime me vdekje, meqë ra fjala”, tha Musk.
Ai gjithashtu foli për rolin e tij si kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, duke u shprehur se është i detyruar të marr masa të rrepta për të luftuar borxhin e madh kombëtar.
“Ai po sakrifikon shumë”, u shpreh Trump.