Në Fletoren Zyrtare Nr.40, datë 26.02.2025 është bërë një ndryshim i kaluar pa njoftim dhe konsultim publik ndryshimi i nenit 69 të ligjit 29/2023 mbi shtyrjen e afatit për përjashtimin nga tatim fitimi të Hoteleve/Resorteve me katër dhe pesë yje, të cilat do të marrin statusin special sipas legjislacionit për turizmin deri në Dhjetor 2026 duke e shtyrë këtë afat me dy vite.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe u miratua më 30 janar 2025 dhe u shpall me dekret presidencial më 25 shkurt 2025 nga Presidenti Bajram Begaj.
Në krahasim me përcaktimet e mëparshme të Ligjit Nr. 8438/1998 dhe Ligjit Nr. 29/2023, ndryshimi i miratuar me Ligjin Nr. 9/2025 sjell dy modifikime kryesore:
- Zgjatja e afatit për përfitimin e statusit special
Në ligjet e mëparshme (8438/1998 dhe 29/2023), përjashtimi nga tatimi mbi fitimin aplikohej për strukturat që merrnin statusin special deri në dhjetor 2024.
Ligji i ri (9/2025) shtyn këtë afat deri në dhjetor 2026, duke u dhënë më shumë kohë investitorëve për të përfituar nga ky përjashtim tatimor.
- Zgjatja e afatit për fillimin e përjashtimit tatimor
Në ligjet e mëparshme, struktura që merrte statusin special kishte 3 vite kohë për të filluar aktivitetin ekonomik dhe për të përfituar nga përjashtimi tatimor.
Ligji i ri (9/2025) e zgjat këtë afat në 5 vite, duke lehtësuar presionin mbi investitorët për të operuar brenda një periudhe më të shkurtër.
Qëllimi kryesor i ndryshimeve është të zgjasë afatin për investime në sektorin e turizmit, duke e bërë më tërheqëse skemën e përjashtimit tatimor për hotelet dhe resortet me katër dhe pesë yje që mbajnë një markë ndërkombëtare.
Ky ndryshim mund të shtojë investimet në turizëm, por njëkohësisht mund të nxisë spekulime me marrjen e “statusit special” pa u realizuar realisht investimet brenda një kohe të arsyeshme.
Investitorët në industrinë e turizmit, veçanërisht ata që kanë marka të njohura ndërkombëtare dhe që planifikojnë të hapin hotele luksoze në Shqipëri.
Në ndryshimin e Ligjit Nr. 9/2025 për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin për hotelet dhe resortet me katër dhe pesë yje, që mbajnë markë ndërkombëtare, dhe shtyrjen e periudhës përfitimi deri në dhjetor 2026, disa elemente të rëndësishme kërkojnë një vëmendje të thelluar, veçanërisht në lidhje me mungesën e transparencës, konsultimit publik dhe efektet e mundshme negative në buxhet dhe ekonomi.
Së pari, vërehet se ky Ligj ka ndikime indirekte që shkelin parimin e barazisë dhe transparencës të garantuara nga Neni 91 i Kodit Zgjedhor, edhe pse nuk ka lidhje drejtpërdrejtë me financimin e fushatave zgjedhore. Favorizimi i disa grupeve investitorësh mund të ndikojë në mënyrë të padëshiruar në përfitimet që mund të kenë lidhje me proceset zgjedhore, duke shpërndarë burime të padrejta dhe duke ndikuar në procesin zgjedhor. Ky është një aspekt që mund të kërkojë më shumë vëmendje dhe shqyrtim për të siguruar që ky ligj të mos krijojë mundësi për abuzime në periudhën zgjedhore.
Së dyti, është mungesa e transparencës dhe konsultimit public.
Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin ka potencialin të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në politikën fiskale dhe konkurrencën e tregut, por duket se nuk ka pasur një proces të gjerë konsultimi publik ose analiza të thelluara të ndikimeve. Ky proces ka qenë shumë i shpejtë, duke lënë pak mundësi për pjesëmarrësit e tregut, si qytetarët, shoqatat e turizmit dhe ekspertët ekonomikë, për të shprehur shqetësimet e tyre dhe për të ofruar mendime të vlefshme. Kjo lloj qasjeje mund të krijojë hapësira për abuzime dhe mund të kontribuoni në përkeqësimin e perceptimit të drejtësisë fiskale.
Përjashtimi tatimor për periudhën 10-vjeçare është i orientuar vetëm për strukturat akomoduese të nivelit të lartë, që mund të favorizojnë investitorët ndërkombëtarë dhe të lënë jashtë mundësinë për hotele lokale të vogla ose bizneset e tjera të turizmit. Ky ndryshim mund të nxisë koncentrimin e tregut në duar të pakta, duke krijuar një treg jo të drejtë dhe duke shpërfillur mundësitë e barabarta për të gjithë investitorët.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është që këto ndryshime, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe ndarjen e burimeve, duhej të ishin diskutuar më parë në një debate të hapur dhe të mirëfilltë, ku të gjithë aktorët ekonomikë dhe shoqërorë të kishin mundësi të shpreheshin. Kjo mund të kontribuonte në përmirësimin e politikave dhe parashikimin e pasojave negative, si dhe në shpërndarjen e drejtë të përfitimeve.
Së treti janë efektet e shtyrjes së periudhës dhe ndikimet në buxhet dhe ekonomi.
Shtyrja e periudhës për të përfituar nga përjashtimi tatimor për dy vite të tjera mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit. Deri tani, përjashtimi ka ndikuar në uljen e të ardhurave tatimore nga sektori i turizmit, dhe shtyrja për dy vite mund të vijojë të mbajë këtë hendek në të ardhurat e buxhetit. Ky hendek mund të rrisë presionin mbi sektorët e tjerë të ekonomisë që financojnë buxhetin, duke përfshirë tatimin mbi konsumet e tjera ose rritjen e borxhit të shtetit.
Përjashtimi i tatimit për hotelet dhe resorte me markë ndërkombëtare kontribuon në një përqendrim të burimeve në disa investitorë të mëdhenj, ndërsa dëmton mundësitë e zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme të turizmit. Ky fenomen shkakton një divergjencë të pabarabartë ekonomike, ku investitorët e mëdhenj përfitojnë nga stimujt fiskalë ndërsa ato më të vogla nuk mund të përfitojnë nga të njëjtat kushte.
Një ndikim kritik i kësaj shtyrjeje dhe përjashtimi tatimor është pabarazia në shpërndarjen e mundësive ekonomike. Hotelet e nivelit të lartë dhe ato me marka ndërkombëtare mund të përfitojnë ndihmën e shtetit, ndërkohë që bizneset lokale dhe të vogla mund të shihen të lëna jashtë mundësive të zhvillimit. Kjo mund të nxisë një koncentrim të pasurisë dhe një përkeqësim të pabarazisë ekonomike, duke krijuar një ndarje më të thellë midis grupeve të ndryshme të biznesit dhe qytetarëve.
Ndryshimet në Ligjin Nr. 9/2025 nuk janë vetëm një mundësi për zhvillimin e turizmit, por gjithashtu një moment kritik për të adresuar mungesën e transparencës, konsultimit publik dhe barazisë fiskale. Pa një debat të gjerë dhe një analizë të thelluar të pasojave ekonomike dhe sociale, këto ndryshime mund të ndikojnë negativisht në sistemin fiskal, konkurencën e tregut dhe përhapjen e mundësive të zhvillimit ekonomik, duke favorizuar vetëm një pjesë të ngushtë të investitorëve dhe duke rritur pabarazinë./
-Marrë nga Qendra ALTAX e drejtuar nga eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj