Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dha një intervistë për rrjetin amerikan Fox News menjëherë pas takimit të tij plot ngjarje me Donald Trump në Zyrën Ovale të premten.
Presidenti ukrainas u përpoq të qetësonte klimën e tensionit dhe të ulte tonin e tij ndaj qeverisë amerikane.
“Unë u jam shumë mirënjohës amerikanëve për të gjithë mbështetjen tuaj” tha fillimisht Zelensky në intervistën e tij me Fox News. “Na keni ndihmuar shumë që në fillim, na keni ndihmuar të mbijetojmë”.
I pyetur nëse me të vërtetë duhet t’i kërkojë falje presidentit Trump, Zelensky tha: “Unë e respektoj presidentin dhe respektoj popullin amerikan”.
“Unë mendoj se duhet të jemi shumë të hapur dhe shumë të sinqertë dhe nuk jam i sigurt se kemi bërë ndonjë gjë të gabuar” shtoi ai.
Më vonë, ai pranoi se përplasja me Trump nuk ishte një “gjë e mirë”, por shprehu besimin e tij se marrëdhënia e tij me presidentin amerikan “mund të shpëtohet”.
“Unë thjesht dua të jem i sinqertë dhe dua që partnerët tanë ta kuptojnë situatën saktë”, shtoi Zelensky, duke përsëritur nevojën për të mos “humbur marrëdhëniet miqësore” mes dy vendeve.
Bullizmi në zyrën ovale
Më herët, takimi në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit ukrainas dhe presidentit Donald Trump u zhvillua në një atmosferë shumë të tensionuar, me liderin ukrainas që u largua nga Shtëpia e Bardhë pa e nënshkruar marrëveshjen për tokat e rralla, shumë të reklamuar nga Trump.
Konferenca e planifikuar për shtyp dhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndarjen e rezervave të tokës së rrallë të Ukrainës u anuluan nga Zelensky, i cili u largua me nxitim nga Shtëpia e Bardhë. Më herët, nënpresidenti J.D. Vance akuzoi liderin ukrainas për mosmirënjohje ndaj bujarisë amerikane. “A keni thënë faleminderit qoftë edhe një herë gjatë këtij takimi?” Vance e pyeti presidentin e ftuar.
Duke ngritur zërin te Zelensky, Vance theksoi se ishte “mosrespektim” për të që të vinte në Zyrën Ovale dhe të parashtronte kërkesat e tij para mediave botërore. Presidenti Trump i tha homologut të tij ukrainas: “Ti nuk je në një pozitë shumë të mirë tani. Ju jeni duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore. Ose nënshkruani një marrëveshje ose ne largohemi”.
Para kamerave
Ballafaqimi publik u shijua nga mediat ruse me komentatorin e rrjetit televiziv Rossiya24, Alexander Kareevsky, që e karakterizoi vizitën e Zelensky në Shtëpinë e Bardhë si një “fshirje publike” dhe një veprim të papritur nga presidenti amerikan.
Debati para kamerave televizive dhe frikësimi i paprecedentë publik i liderit të një vendi aleat zbulon distancën që ndan Kievin nga Uashingtoni, me Trump që përsërit marrëdhëniet e mira që mban me Putinin dhe fundin e afërt të luftës. Në një përmbysje të fjalimit të tij, Trump u tha gazetarëve për konfrontimin e tij me Zelensky: “Ky është një televizion shumë i mirë”.