Presidenti Bajram Begaj në rrjetin e tij social ka përkujtuar sot 581-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës.
Begaj shprehet se Kuvendi i Lezhës shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të parëve. Ai nënvizon se Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithësecilit.
“581 vite më parë, nën udhëheqësinë e Gjergj Kastriotit, u mbajt Kuvendi i Lezhës, i cili shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të parëve.
Mesazhi historik që vjen nga Kuvendi i Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tij. Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithësecilit, nga bashkimi i energjive pozitive të të gjithë shqiptarëve, kudo ata janë”, shkruan Presidenti Begaj.