Sekretari amerikan i Shtetit nuk ka folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që nga takimi i së premtes në Zyrën Ovale me Presidentin e SHBA Donald Trump, tha vetë Rubio sot në ABC “This Week”.
Ndërkohë Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi, që do t’i paraqitet Uashingtonit, tha të dielën Kryeministri britanik Keir Starmer, ndërsa organizon një takim të nivelit të lartë të udhëheqësve evropianë për të diskutuar dhënien fund të luftës.
Kritikat e Presidentit Donald Trump ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë të premten kanë hedhur hije mbi takimin e nivelit të lartë në Londër, por Kryeministri Starmer tha se vazhdon të jetë i përqendruar që takimi sotëm të shërbejë si një urë lidhëse për rikthimin e bisedimeve të paqes.
Ai tha se do të shfrytëzonte krisjen në negociata si një mundësi për t’u angazhuar përsëri me udhëheqësit Trump, Zelenskyy dhe Macron, në vend që të “përforconte retorikën”.