Aleati i ngushtë i Vladimir Putinit, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, ka pohuar se Putin është penduar për nisjen e luftës në Ukrainë, një konflikt që ka shkaktuar qindra mijëra viktima.
Në një intervistë për Mario Nawfal, Lukashenko theksoi se Putin nuk e kishte pritur përshkallëzimin e situatës dhe ishte gati të negocionte për të ndaluar luftën kur pa numrin e madh të viktimave.
“Nuk kemi folur për këtë, por e njoh mirë. Putini nuk e priste që do të kthehej në një luftë të tillë”, u shpreh presidenti bjellorus.
Ai shtoi se Putin kishte kërkuar bisedime për çështje të ndryshme, si demilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës, dhe për mbrojtjen e rusishtfolësve dhe gjuhës ruse.
“Ishte e gjitha në rendin e ditës. Ai donte të negocionte kur pa se në çfarë ishte kthyer kjo situatë”, tha ai.
Lukashenko po ashtu vuri në dukje se, kur Putin e pa se lufta kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme, ai mund të jetë penduar për këtë vendim dhe për përshkallëzimin që kishte marrë konflikti, duke shtuar se ky nuk ishte një zhvillim që ai e kishte parashikuar.
“Kështu që unë mendoj se ai ndoshta i vjen keq që u kthye në një konflikt kaq të gjerë, një luftë, të cilën ai ndoshta nuk e priste.”