Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, ka vizituar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke shprehur mbështetje për institucionet e pavarura të drejtësisë në Shqipëri.
Ai theksoi rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese si garantuesi i Kushtetutës dhe si instancë kryesore për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese. Po ashtu, Gonzato theksoi se ky institucion ka një rol të rëndësishëm gjatë negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në përmbushjen e kërkesave të kapitullit 23.
“Sot bëra një vizitë në Gjykatën Kushtetuese në shenjë mbështetjeje të BE-së për institucionet e pavarura të drejtësisë në Shqipëri. Jo vetëm që Gjykata është garantuesi i Kushtetutës dhe instanca më e lartë në vend për të mbrojtur të drejtat individuale kushtetuese; gjithashtu ka një rol të rëndësishëm për të luajtur gjatë negociatave dhe në përmbushjen e kërkesave të kapitullit 23, i cili është kyç për anëtarësimin e Shqipërisë,” tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.