E ndërsa Dritan Rexhepi ndodhet në burg në Shqipëri, autoritetet ekuadoriane zbulojnë pasuesin që kishte lënë në Guayaquil. Ai është Dritan Gjika, tashmë i arratisur. Më parë të dy banonin në të njëjtën zonë në Samborondón. Gjika zotëronte restorante dhe biznese të shumta në Guayaquil, të cilat i përdorte edhe për kontrabandën e drogës.
Nga 2020 e tutje, ai ndërtoi një rrjet të fuqishëm ekonomik dhe politik, duke krijuar një strukturë të fortë për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Ai përdorte një grup prej dhjetë kompanish – gjashtë në Ekuador dhe katër në Spanjë, përfshirë fabrika të kanabisit dhe plantacione bananesh.
Në 2023, emri i tij doli në dritë për shkak të lidhjeve të tij me Rubén Chérrez (i vrarë në nëntor të atij viti) dhe Danilo Carrera, kunati i ish-presidentit Guillermo Lasso. Carrera u dënua për krim të organizuar si pjesë e një rrjeti kontratash të paligjshme në sektorin energjetik.


 
                                    





