Data 12 mars 2025 shënon datën e fundit kur subjektet zgjedhore, të regjistruara tanimë si garuese për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025, mund të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) thekson se një nga aspektet më thelbësore për të siguruar besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor është cilësia e kandidatëve të propozuar nga subjektet politike.
“Partitë politike, si institucione që synojnë të marrin besimin e qytetarëve për të qeverisur vendin, duhet të tregojnë përkushtim të palëkundur ndaj integritetit të individëve që u propozohen zgjedhësve si kandidatë për Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë” thotë KRIIK.
“Integriteti i plotë i figurës së çdo kandidati, që do të kërkojë votën e qytetarëve shqiptarë në 11 maj, duhet të jetë një kriter thelbësor dhe jo një element i negociueshëm për interesa apo përllogaritje elektorale, për cilëndo forcë politike që merr pjesë në zgjedhje.
“Përfshirja e individëve me të shkuar problematike dhe/ose në konflikt me ligjin, personave të afërt me ta apo që janë nën influencën e tyre, në një mënyrë apo në një tjetër, jo vetëm që minon besimin në procesin demokratik dhe pengon krijimin e një qeverisjeje të përgjegjshme e transparente, por edhe mund të shkaktojë vonesa dhe pengesa serioze në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian”.
Raportet Ndërkombëtare për Shqipërinë kanë evidentuar në vijimësi shqetësime mbi ndikimin e parave që vijnë nga krimi i organizuar apo korrupsioni në jetën publike.
Në këtë frymë, KRIIK u bën thirrje Partive Politike të regjistruara që të përfshijnë në listat e tyre të kandidatëve vetëm individë me integritet të lartë moral dhe profesional.