Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar një takim të planifikuar me presidentin francez Emmanuel Macron më 11 mars, ku do të diskutohet mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe përpjekjet për të siguruar një paqe të qëndrueshme.
Gjatë një takimi në Bruksel, Zelensky falënderoi Macron për mbështetje dhe përqendrim në masat më të forta për mbrojtjen e Evropës.
“Kam zhvilluar një takim të veçantë me presidentin francez Emmanuel Macron në kuadër të mbledhjes së Këshillit Evropian, që u mbajt sot në Bruksel. E falënderova Emmanuelin për qëndrimin e tij të qartë dhe parimor në mbështetje të Ukrainës dhe për nevojën e masave të reja dhe më serioze për të mbrojtur të gjithë Evropën: popujt tanë, institucionet tona dhe stilin tonë evropian të jetesës. Diskutuam për takimin që po përgatitet për më 11 mars, në nivel të përfaqësuesve ushtarakë të vendeve që janë të gatshme të bëjnë përpjekje më të mëdha për të garantuar në mënyrë të besueshme sigurinë në kuadër të përfundimit të kësaj lufte,” shkruan në rrjetet sociale presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Koordinuam qëndrimet dhe hapat e ardhshëm. Kemi një vizion të përbashkët dhe të qartë: një paqe e vërtetë dhe e qëndrueshme është e mundur përmes bashkëpunimit mes Ukrainës, gjithë Evropës dhe Amerikës. Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur,” shtoi ai.