Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i dhuron Policisë shqiptare, pajisje imazherike të teknologjisë së lartë, me vlerë mbi 18 000 euro.
Marrëveshja për donacionin u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe nga përfaqësuesi i Zyrës së Operacioneve Ndërkombëtare të Departamentit të Operacioneve Ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe, Stephen Law.
Proda falënderoi Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Bashkëpunimi i ndërtuar mbi profesionalizëm dhe besim reciprok, do të ndikojë drejtpërdrejt në revanshin e ligjit në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti”, tha Proda.
Pajisjet e rezolucionit të lartë do t’i shërbejnë Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, për dedektimin e shpejtë të lëndëve narkotike, armëve dhe mallrave të cilat tentohen të futen/të dalin nga Shqipëria. Si rezultat i përdorimit të këtyre pajisjeve në këto raste të krimeve kufitare, do të sigurohen prova materiale të padëmtuara.