Përmbytje të mëdha janë krijuar në Bahia Blanca, në jugperëndim të kryeqytetit Buenos Aires. Si pasojë të paktën 10 persona kanë humbur jetën pas shirave të dendura.
Shtëpitë dhe spitalet u evakuuan menjëherë, si dhe shumë ura dhe rruga janë shembur pas përmbytjeve të mëdha që sollën shirat.
Federico Susbielles, kryebashkiak i qytetit, tha se Bahia Blanca u “godit sërish nga një fatkeqësi natyrore” dhe se “situata është bërë shumë kritike”.
“Numri i të vdekurve është rritur në 10 dhe për momentin nuk mund të përjashtohet – duke pasur parasysh përmasat e asaj që ndodhi – që mund të ketë më shumë viktima,” tha ai rreth orës 19:30 me kohën lokale.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes Luis Petri shtoi se presidenti argjentinas Javier Milei kërkoi një mobilizim të plotë të të gjitha burimeve – përfshirë forcat e armatosura.
“Ne jemi në terren, duke punuar me komunën dhe duke i shoqëruar të prekurit që ndihma të arrijë shpejt dhe aty ku është më e nevojshme”, shtoi ai.