-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Mërgata shqiptare dhe hapja e shtigjeve për fëmijët

Kryesoret

Nuk lihet shije e mirë nëse mërgata është vendimtare në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet parlamentare apo komunale në Kosovë. Interesimi për zhvillimet në Kosovë nuk duhet të kalojë në militantizëm, në fanatizëm dhe në tifozllëk. Mërgimtarët duhet të koncentrohen pikësëpari në integrimin e tyre në shtetet ku jetojnë në Perëndim. Dhe nganjëherë patjetër të marrin si shembull vietnamezët.

Ndonëse ligji zgjedhor i Kosovës e lejon pjesëmarrjen në zgjedhje të çdo qytetari të Kosovës me të drejtë vote dhe që jeton jashtë vendit, mërgata duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mos bëhet instrument i lojërave politike në Kosovë. Nuk lihet shije e mirë nëse mërgata është vendimtare në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet parlamentare apo komunale në Kosovë.

Në të ardhmen ekspertët e sistemeve elektorale sigurisht mund të gjejnë ndonjë zgjidhje të pranueshme për përfaqësimin e diasporës. Ky përfaqësim duhet të jetë konform interesave specifike që ka diaspora dhe jo duke u bërë mashë në betejat politike në Kosovë. A është zgjidhje krijimi i një njësie elektorale për mërgatën siç e ka Kroacia? Le të mendojnë ekspertët dhe krerët e partive politike, por edhe opinioni në Kosovë.

Në shtetet e Bashkimit Evropian dhe në Zvicër supozohet se jetojnë rreth 1 milion kosovarë, disa me dokumente të Kosovës, disa me shtetësi të dyfishtë. Kosovarët që jetojnë nga Finlanda në veri deri te Italia në jug paguajnë tatime në këto shtete, punojnë apo merren me afarizëm. Fëmijët e tyre rriten në këto shtete. Pothuaj askush nuk e ka ndërmend të kthehet në Kosovë. Me përjashtim të pensionistëve, të tjerët gjatë vitit i kalojnë në Kosovë vetëm dy-tri javë. Nëse prej 365 ditëve të vitit, mërgimtarët i kalojnë rreth 340 ditë në vende si Gjermania, Zvicra, Austria etj., ata do të duhej të përqendroheshin në integrimin e tyre në atdhetë e tyre të rinj. Integrimi nënkupton interesim të shtuar për jetën politike e shoqërore, për shembull, në Zvicër e Gjermani. Pjesëmarrje të rregullt në zgjedhje. Pjesëmarrje edhe në referendume (në Zvicër).

Gati secili ligj që miratohet në këto vende i prek direkt apo indirekt edhe kosovarët (me shtetësi apo vetëm me lejeqëndrim). Jo çdo ligj që miratohet në Kuvendin e Kosovës është relevant për mërgimtarët. Rrjedhimisht, interesimi për zhvillimet në Kosovë nuk duhet të kalojë në militantizëm, në fanatizëm dhe në tifozllëk. Fundja, pushtetet në Kosovë zgjidhen në radhë të parë për banorët që jetojnë atje. Ata i korrin sukseset apo vuajnë pasojat e zgjedhjeve të tyre.

Argumenti se mërgata dërgon shumë para, andaj automatikisht paskësh të drejtë të determinojë edhe kahun e qeverisjes së Kosovës, nuk është i bindshëm. Fundja, mërgimtarët i përkrahin kryesisht familjet e tyre. Kur blejnë ndonjë pronë në Kosovë, e bëjnë këtë sepse kanë nevojë apo shohin ndonjë interes. Jo çdo cent që vjen nga diaspora është pjesë e ndonjë aksioni humanitar apo i shtyrë nga motivet altruiste.

Gjithë kjo energji që harxhohet nga mërgata (ose një pjesë e konsiderueshme e saj) për zhvillimet politike në Kosovë, mund të shfrytëzohet më mirë për organizime politike e aktivitete të denja kulturore në botën perëndimore, aty ku, siç u tha tashmë, e kalojnë jetën. Trupi në Bern e mendja në Baballoq – kjo nuk është zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë.

Mendoni për fëmijë tuaj. Investoni në integrimin e tyre. Në shkollimin e tyre. Në përparimin e tyre. Nëse ata përfundojnë si raste sociale, atyre s’ua sheh hairin as Zvicra, as Kosova. Sepse, këtë duhet pranuar, ende ka shumë punë sa i përket integrimit të shqiptarëve.

Në mediat kosovare dhe në rrjetet sociale prezantohen kryesisht shembuj pozitivë të integrimit të shqiptarëve. Por ka një anë tjetër për të cilën nuk flitet gati kurrë. Në shumë vendbanime rurale apo qytete periferike të Zvicrës fëmijët shqiptarë janë ndër më të dobëtit në shkolla. Shpesh kanë probleme si me gjermanishten ashtu edhe me shqipen.

Shkencëtarët në Gjermani e Zvicër prej vitesh merren me një fenomen: pse fëmijët vietnamezë janë aq të suksesshëm në shkolla? Në Gjermani mbi 60 për qind e tyre arrijnë të vijojnë gjimnazin – pesë herë më shumë se turqit. Ose shqiptarët. Sipas një artikulli të revistës gjermane “Cicero”, i cili bazohet në një studim të universiteteve në Chemnitz dhe Hamburg, prindërit vietnamezë kanë pritshmëri më të larta për fëmijët e tyre në krahasim me prindërit gjermanë dhe turq (këtu hyjnë edhe prindërit shqiptarë). Prindërit vietnamezë i inkurajojnë fëmijët e tyre të përmirësojnë rezultatet sapo të shfaqen rënie të vogla në performansën e tyre. Ata shpesh janë të gatshëm të paguajnë për mësime shtesë për të siguruar që rezultatet të përmirësohen sërish.

Sociologu Bernhard Nauck thekson se vietnamezët ilustrojnë një ligj të rëndësishëm të migracionit: “Migrantët janë të orientuar drejt përparimit (në karrierë), përndryshe nuk do të kishin emigruar; arsimi është karta e vetme në të cilën mund të mbështeten me të vërtetë”. Ekspertë të arsimit potencojnë edhe dy virtyte që shpesh injorohen: zelli dhe disiplina. Një prindi vietnamez nuk i shkon mendja ta akuzojë arsimtaren e gjermanishtes se nuk po arrin t’ia motivojë sa duhet fëmijën në shkollë.

Vietnamezi e gjen një rrugë jokonvencionale, për shembull duke e lutur një gjyshe apo gjysh gjerman të ushtrojë me vajzën e tij drejtshkrimin e gjermanishtes. Ose të ushtrojë matematikë.

Do të ishte në të mirën e komunitetit shqiptar nëse prindërit shqiptarë s’do të humbnin shumë kohë me akronime partish në Kosovë, por do të angazhoheshin në hapjen e shtigjeve për arsimim të fëmijëve të tyre. Ka shumë studentë shqiptarë në universitetet zvicerane apo gjermane që janë të gatshëm të ushtrojnë gjuhë gjermane e matematikë me fëmijët shqiptarë – shpesh falas ose me një pagesë simbolike. Së fundi edhe Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës pati treguar gatishmëri të kyçet në projekte të tilla. Duhet vetëm vullnet – në radhë të parë nga prindërit./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit