Forcave të Armatosura u shtohen edhe gjashtë ushtarakë me grada të larta. Me dekret të presidentit të Republikës, njëherësh komandant i Përgjithshëm i FA dhe propozim të ministrit të Mbrojtjes, gjeneral brigade Ferdinant Dimo dhe Petrit Çuni tashmë do të mbajnë gradën gjeneralmajor. Kundëradmiral Adnand Agastra do të mbajë gradën nënadmiral, ndërsa kolonelët Ardian Lilo, Vehbije Kuti e Hamdi Doda do të mbajnë gradën madhore gjeneral brigade.
I pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Pirro Vengu vlerësoi kontributet e gjithsecilit prej ushtarakëve dhe theksoi nevojën që kanë FA për investime në kapacitete njerëzore, përballë sfidave të kohës.
Sipas ministrit Vengu: “Shqipëria ka gjithmonë nevojë për gjeneralë, sepse Forcat e Armatosura thirren gjithmonë e më shumë në misione të posaçme dhe për pasojë, qoftë në komponentin ushtarak, qoftë në komponentin civil duhet të jemi në lartësinë e misioneve dhe, ku ka më mirë se sa ushtarakë me eksperiencë e profesionalizëm që të përballen me këto sfida”.
“Kemi një piramidë të konsoliduar drejtuesish në Forcat e Armatosura”, tha më tej ministri Vengu, duke falenderuar presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama për këtë iniciativë.
“Në kushtet kur mbi njëmijë vetë në vit synojnë të bëhen pjesë e Akademisë së Forcave të Armatosura, besoj se nuk ka sinjal më të mirë që tregon pritshmërinë edhe të popullit tonë, të gjithë shqiptarëve, që e shohin këtë jo si një profesion dytësor, por edhe si një karrierë që mund të kontribuojnë, ku mund të kenë edhe të gjitha benefitet”, nënvizoi ministri i Mbrojtjes, sipas të cilit objektiv është rritja e numrit të forcave aktive.
“Unë besoj se zgjerimi i terrenit të misioneve të FA nga pikëpamja e industrisë ushtarake do të na japë mundësinë që t’i promovojmë këto kapacitete dhe t’i shfrytëzojmë në këndvështrimin e gërshetimit midis forcave dhe industrisë”, nënvizoi ministri Vengu.
Kjo, sipas tij: “do të jetë kryefjala, në mënyrë që ta transformojë këtë besim të taksapaguesve shqiptarë, në detyrim në kuadër të përgjegjësive që kemi në kuadër të Aleancës dhe në përballje me kërcënimet e gjithanshme që kemi në mënyrë që rritja e buxheteve të mbrojtjes të transformohet në një oportunitet ekonomik për vendin, për të gjithë shqiptarët”.
Pjesë e ceremonisë së gradimit të drejtuesve të lartë ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji si dhe familjarë të gjeneralëve të rinj.