Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja s’do të shkojë në koalicion me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai ka përjashtuar edhe mundësinë e koalicionit me partitë e tjera opozitare nëse LDK-së nuk i ofrohet posti i kryeminstrit.
“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta [VV-në]. Ky ishte qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, tha Abdixhiku.
“Unë dhe askush nga njerëzit e autoritizuar të LDK-së nuk ka pasur asnjë kontakt me asnjë kontakt me asnjë prej partive politike në nivel të komunikimit zyrtar. Sepse të parit i takon afati kushtetues”, tha Abdixhiku në konferencën e thirrur pas një takimi mbi pesë orësh të kryesisë së LDK-së.
Ai theksoi se i takon tani Lëvizjes Vetëvendosje të tentojë të formojë Qeverinë, si fituese e zgjedhjeve, e vetëm nëse kjo parti dështon të sigurojë votat, atëherë mund të shikohen opsione të tjera.
Për LDK-në, Abdixhiku tha se opsion mund të jetë koalicion me partitë e tjera opozitare vetëm nëse i ofrohet pozita e kryeministrit dhe nëse arrihet marrëveshje për postin e presidentit – pozitë që deri vitin e ardhshëm i takon presidentes Vjosa Osmani.
“Vendit i duhet stabilitet, qeveri e Kosovës dhe parlament”, tha Abdixhiku.