Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka reaguar Qeverisë, për siç ka thënë, tentimit për kufizim të komentimit në çështjen e transparencës dhe llogaridhënies për rastin e rezervave shtetërore, për të cilin në cilësinë e dëshmitarit është ftuar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me deklarimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se odat ekonomike nuk duhet të komentojnë çështjet që kanë të bëjnë me promovimin e sundimit të ligjit dhe llogaridhënies në qeverisje, dhe se deklaratat e tilla janë të motivuara politikisht”, thuhet në reagim.
OEAK-ja e ka quajtur shqetësues, siç ka thënë, insistimin e pushtetit ekzekutiv që të diktojë diskursin e akterëve joshtetërorë, e bartësve të pushteteve të pavarura, “përmes përpjekjeve për delegjitimim të qëndrimeve të tyre”.
“Kosova ka ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndërtuar themele të forta të demokracisë, dhe asnjë përpjekje nuk mund të cenojë suksesin e arritur. Çdo odë ekonomike, organizatë e shoqërisë civile, media, e hisedar tjetër joshtetëror, ka për obligim dhe duhet të avokojë fuqishëm në kërkim të llogaridhënies dhe transparencës”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të lejohen të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje dhe që të gjithë të bashkëpunojnë me to.
“Në këtë drejtim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se çdo individ, pavarësisht pozitës zyrtare, ka obligim kushtetues dhe ligjor për të dëshmuar në praktikë se Kosova është një shtet i së drejtës”, thuhet në reagim.
OEAK-ja ka reaguar, pasi të premten e javës që shkoj, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një reagim ka vlerësuar se po manipulohet e përdoret politikisht ftesa e Prokurorisë për Kurtin.
Në reagim Kryeziu kishte përmendur edhe përmendur dhomat ekonomike e tregtare.
“Nuk është dhe nuk mund të jetë detyrë e cilitdo, e sidomos dhomave tregtare e ekonomike të japin opinione ligjore apo të ndikojnë në proceset gjyqësore. Bizneset dhe organizatat ekonomike kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit”, pati shkruar Kryeziu.
Para kësaj OEAK-ja përmes një komunikate kishte deklaruar se refuzimi për t’i zbatuar urdhrat e Gjykatës e minon demokracinë.
“Çfarëdo pengimi i drejtësisë, duke përfshirë ndërhyrjen në hetime apo mosrespektimin e obligimeve ligjore, përbën shkelje serioze të ligjit si dhe dobëson integritetin e institucioneve të Kosovës.
Gjithashtu, refuzimi i cilitdo individ – pavarësisht pozitës – për të zbatuar urdhrat e gjykatës dhe për të përmbushur procedurat ligjore minon besimin e publikut në qeverisje si dhe gërryen bazamentin demokratik të Kosovës”, thuhej në komunikatën e OEAK-së.
Kryeministri Kurti ka marrë urdhër nga gjykata më 4 mars që të paraqitet në Prokurori për dëshmi, pas dy thirrjeve të organit të akuzës, të cilave nuk u ishte përgjigjur me prezencë në objektin e Prokurorisë. Kryeministri këmbëngul që dëshminë ta japë në zyrën e tij.