Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer ka reaguar në platformën X rreth arritjes mes marrëveshjes SHBA-Ukrainë.
Starmer tha se e mirëpret “ngrohtësisht” marrëveshjen midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë pas bisedimeve në Arabinë Saudite.
Ai thekson se tani do të dyfishohen përpjekjet për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur. Starmer nënvizon se do të jenë të gathshëm që ti japin fund luftës në mënyrë të drejtë që Ukraina të gëzojë lirinë e saj.
“Unë mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen sot në Jeddah dhe përgëzoj Presidentin Trump dhe Presidentin Zelenskyy për këtë përparim të jashtëzakonshëm.
Ky është një moment i rëndësishëm për paqen në Ukrainë dhe ne të gjithë tani duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur.
Siç kanë thënë delegacionet amerikane dhe ukrainase, topi është tani në fushën ruse. Rusia duhet të pajtohet me një armëpushim dhe me një fund të luftimesh gjithashtu.
Unë do të mbledh liderët këtë të shtunë për të diskutuar hapat e ardhshëm. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte në një mënyrë të drejtë dhe të përhershme që i mundëson Ukrainës të gëzojë lirinë e saj.”, shkruan Starmer.