Parlamenti i Maqedonisë së Veriut hapi të marten debatin mbi interpelancat ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët refuzuan të japin dorëheqje pasi qeveria ua kërkoi këtë.
Qeveria e Kryeministrit, Hristijan Mickovski pretendon se me largimin e prokurorëve dhe gjykatësve “të korruptuar” do të bëjë reforma në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit e filloi me anëtarët e Këshillit Gjyqsor, një organ që emëron dhe shkarkon gjykatësit në të gjitha nivelet.
Vesna Dameva, Tanja Çaçarova Ilievska, Milazim Mustafa, Pavlina Cërvenkovska dhe Selim Ademi janë pesë anëtarët e Këshillit për të cilët ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së i kërkuan në interpelancë.
77 deputetë votuan për interpelancën ndaj zonjës Vesna Dameva, e cila deri para pak muajsh ishte kryetare e Këshillit. Interpelanca zhvillohet për secilin anëtar veç e veç.
Por, nuk është e qartë nëse interpelanca detyron shkarkimin e këtyre anëtarëve ose jo, teksa më tepër duket si një shtim i trysnisë ndaj tyre për t’u dorëhequr, sipas një analistëve.
VMRO-DPMNE-ja akuzon Këshillin Gjyqësor se ka rrënuar imazhin e gjyqësorit në vend duke ulur dhe besueshmërinë e qytetarëve në vetëm 2 – 3 përqind tek gjykatësit, një gjë që konfirmohet edhe nga anketat publike. Partia në pushtet akuzon pesë anëtarët e Këshillit se nuk kanë bërë asgjë për pengimin e këtyre “rrethanave negative në shoqëri”.
Vesna Dameva tha se nuk ka lejuar që trysnia dhe përulja e shprehur nga deputetë të parlamentit të ndikojnë në punën e ndershme dhe ndërgjegjen e saj, por se nuk ka mundur ta ndalojë dhimbjen që i është shkaktuar familjes së saj.
“Si është e mundur të shkelësh mbi njerëzit e gjallë?, pyeti ajo duke shtuar se “është e qartë se dëshira për pushtet është më e fuqishme se çfarëdo ndjenje dhe mjeti tjetër”.
Zonja Dameva theksoi se kishte ardhur në parlament jo për të mbrojtur veten por sundimin e ligjit, Kushtetutën dhe pushtetin gjyqësor dhe për t’iu kundërvënë një “raporti diskriminues”.
Ajo nënvizoi mirënjohjet, siç tha nga ana e misionit vlerësues të Bashkimit Evropian mbi punën e saj rreth reformave në gjyqësor, për çka “jam shumë krenare”, siç u shpreh.
“Problemi nuk do të zhgjidhet me anë të interpelancës. Në këtë mënyrë vetëm se thellohet problemi dhe bëhet një precedencë e rrezikshme që do të ketë pasoja afatgjata edhe ndaj gjyqsorit edhe ndaj shtetit”, tha Dameva, së cilës i kanë mbetur edhe nëntë muaj deri në përfundimin e mandatit.
Shumica parlamentare e cilësoi paraqitjen e zonjë Dameva si një fjalim politik.
Jo të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor morën pjesë në interpelancat ndaj tyre në parlament. Ata thonë se është hera e parë kur parlamenti paraqet interpelancë ndaj anëtarëve të Këshillit dhe këtë akt e quajnë të paprecedent.
Pesë anëtarë të Këshillit i zgjedh parlamenti, ndërkaq tetë të tjerët zgjidhen përmes konkursit nga vetë gjykatësit e të gjitha gjykatave të vendit./VOA