Sot në Ditën e Verës, kryetari i PD-së, Sali Berisha ishte në Elbasan. Mes demokratëve listoi premtimet elektorale për zgjedhjet e 11 Majit nga pensionet, pagat dhe investimet publike.
“Dita e Verës e gjen Elbasanin, shqiptarët më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 Majit. Kjo ditë, frymëzon cdo shqiptar që me 11 Maj të ndahet nga regjim që i varfëroi ata deri në palcë dhe unë sot nga Elbasani do t’ju premtoj shqiptarëve kudo që janë që në tre muajt e parë ajo që e kemi quajtur paketë e dhimbshurisë, do të kenë një minimum jetik prej 200 Euro, nuk do të ketë pensionist që do të marrë nën 200 Euro pavarësisht sa e ka sot pensionin dhe pavarësisht nëse ka pension, të plotë apo të pjesshëm, do të ketë një rritje 20% të pensioneve, rrogë minimale 25% më të lartë se kjo që është sot, jo më pak se 500 Euro” tha ai.
Po largimi i Dashnor Sulës? “Sa i përket deputetit bëri zgjedhjen e tij, midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi të ikte dhe shkoi në punë të vet. Bëri gabim por prapë ka kohë që ta mendojë atë vendim”, tha Berisha nga Elbasani.