Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti pretendimet e homologut rus Vladimir Putin se trupat ukrainase në rajonin rus të Kursk, tani janë të rrethuara nga forcat ruse.
Sipas mediave të huaja, ushtria e Ukrainës i ka hedhur poshtë këto pretendime duke i cilësuar si “të rreme”. Një deklaratë thotë se trupat në fakt u tërhoqën në pozicione “më të favorshme” dhe se nuk ka asnjë rrezik që ato të rrethohen.
“Raportet për rrethimin e pretenduar nga armiku të njësive ukrainase në rajonin e Kurskut janë të pavërteta dhe po krijohen nga rusët për qëllime politike dhe për të ushtruar presion mbi Ukrainën dhe partnerët e saj”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës .
Situata nuk ka ndryshuar shumë gjatë ditës”, thuhet më tej.
“Vazhdojnë veprimet luftarake në zonën operative të grupimit ushtarak Kursk”, vijon deklarata.
“Ushtarët tanë po zmbrapsin ofensivën e armikut dhe po shkaktojnë dëme efektive nga zjarri nga të gjitha llojet e armëve. Që nga fillimi i ditës, në sektorin e Kurskut janë zhvilluar 13 skena luftarake. Nuk ka asnjë kërcënim për rrethim të njësive tona”, thuhej më tej në deklaratë.