Kryeministri Edi Rama ka vijuar podcastin e tij të radhës këtë fundjavë, ku ka diskutuar për rëndësinë e pasaportës së Bashkimit Evropian për qytetarët shqiptarë.
Gjatë këtij episodi, Rama ka theksuar se çdo qytetar që dëshiron të shijojë privilegjet e pasaportës europiane duhet të mbështesë një mandat të fortë për qeverinë, e cila do të sigurojë integrimin e Shqipërisë në BE.
“Ne mund ti sigurojmë çdo shqiptari pasaportën europiane në 2030, kjo pasaportë duhet të ndryshojë dhe të shtohet diçka themelore Bashkimi Europian-Republika e Shqipërisë. Na duhet jo thjesht një mandate i katërt, por më i fortë se të treja mandatet e deri më sotme. Kush e do pasaportën e BE ka vetëm një mundësi dhe vetëm një rrugë të bashkohet dhe votën e bashkuar të na japë këtë mundësi që të pajisim çdo shqiptar me pasaportën e BE brenda kësaj dekade.
Me pasaportën e BE, Evropa bëhet më e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria aq e madhe sa Europa. Vajzat dhe djemtë e Shqipërisë mund të studiojnë me të njëjtat tarifa si student i barabartë i studentëve të BE dhe jo me tarifa ekstra. Mund të punojnë pa leje, duke gëzuar të njëjtat të drejta si suedezët në Suedi, si portugalezët në Portugali, apo si polakët në Poloni.”