18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Paga mesatare në sektorin financiar u rrit me 12% në fund të vitit 2024

Kryesoret

Paga mesatare në sektorin financiar u rrit me pothuajse 12% në fund të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga INSTAT, paga mesatare bruto në grupin aktivisteve financiare dhe të sigurimit arriti në 166,223 lekë në muaj, duke arritur nivelin më të larta të të gjitha kohërave.

Megjithatë, tendencat më afatgjata dëshmojnë një rritje me ritme të shpejta të pagës mesatare në sektorin financiar. Që nga fundi i vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në këtë sektor është rritur me pothuajse 42%.

Sektori financiar vazhdon të ketë me një diferencë të konsiderueshme pagën mesatare më të lartë në ekonomi. Paga në sektorin financiar është afërsisht dy herë më e lartë se paga mesatare në ekonominë shqiptare dhe 34% më e lartë se sektori i dytë më i paguar, ai i informacionit dhe komunikimit.

Të dhënat paralele nga Banka e Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e sektorit bankar për personelin u rritën për të katërtin vit radhazi vitin e kaluar. Shpenzimet për personelin arritën vlerën e 17.8 miliardë lekëve, në rritje me 13.3% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e shpenzimeve të personelit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i punësimit, por sidomos nga rritja e pagave. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të vitit 2024 bankat tregtare në vend raportuan 7154 të punësuar, në rritje me 1.9% krahasuar me një vit më parë. Punësimi në sektorin bankar është rritur për të pestin vit radhazi, por megjithatë efektin kryesor në rritjen e shpenzimeve të personelit vazhdon ta japë rritja e pagave.

Një tendencë e ngjashme po vërehet edhe në segmentet e tregut financiar jobankar dhe atij të sigurimeve. Sidomos në tre vitet e fundit, ekonomia shqiptare po përballet me vështirësi për të siguruar forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht me rritje të kostos së punës.

Kjo tendencë mund të shpjegohet me konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Europë dhe emigracionin e lartë mes të rinjve, përfshi ata të arsimuar.

Edhe sektori financiar është përballur me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm. Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione kanë diktuar nevojën për të rishikuar pagat. Kjo trysni u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit, në vitin 2022.

Rritja e pagave është mbështetur edhe nga performanca pozitive e sektorit dhe rritja e fitimeve gjatë viteve të fundit. Fitimi neto i sektorit bankar për vitin 2024 arriti vlerën e 37.4 miliardë lekëve, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë. /Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit