-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Përgjegjësi për tragjedinë në Koçan

Kryesoret

Shkup, 17 mars – Sistemi i korruptuar edhe njëherë shfaqet si fajtor për një tragjedi të përmasave të larta, si kjo e fundit me Koçanin. Ndërsa, mbetën të vdekur së paku 59 persona dhe 163 persona janë të lënduar, prej të cilëve 51 ndodhen në kurim intensiv jashtë vendit, zyrtarët shtetëror dhe politik, fajin e hedhin te njëri-tjetri, edhe pse deklarativisht kërkojnë që ky rast të mos shihet nën dioptri politike. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dje informoi se MPB-ja në koordinim me Prokurorinë Publike deri më tani ka dyshuar për më shumë se 20 persona për këtë ngjarje, prej të cilëve 15 janë në mbajtje policore, prej të cilëve edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Toshkovski gjatë paraqitjes së tij para mediave ka njoftuar një sërë lëshimesh që sipas tij ishin bërë gjatë natës së 16 marsit. Mjetet piroteknike për pasojë të të cilave është shkaktuar zjarri, janë sjell nga grupi muzikor DNK, të cilët kanë performuar natën e kobshme, personi i cili ka qenë përgjegjës për përdorimin e tyre ka ndërruar jetë, informoi ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski.

“Zjarri ka ndodhur si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, ndërsa në objekt ndodheshin gjithsej 500 persona, megjithëse ishin shitur 250 bileta. Ekspertizën po e kryen një ekip prokurorësh, ekipe të MPB-së dhe institucione të tjera kompetente. Pas një bisede me një anëtar të grupit DNK, është konstatuar se mjetet piroteknike i ka sjellë vetë banda. Fatkeqësisht, personi që ishte përgjegjës për përdorimin e tyre ka ndërruar jetë”, njoftoi ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski. Pas përfundimit të ekspertizës, do të përgatitet një raport për Prokurorinë, i cili do të përcaktojë detajet dhe do të vlerësojë nëse mjetet piroteknike duhej të kishin certifikatë për përdorim, siç parashikohet me ligj. Toshkovski theksoi se diskoteka ishte e vendosur në një objekt i cili ishte i destinuar për industri të lehtë dhe jo për veprimtari të gastronomisë, gjë që e bënte atë të papërshtatshme për një ngjarje të tillë. Për më tepër, është zbuluar se në të gjithë klubin kishte vetëm dy aparate kundër zjarrit, çka e rrit edhe më shumë rrezikun.

Koncerti i grupit DNK ishte organizuar pa një marrëveshje formale me menaxhuesit e klubit, duke e vënë më tej në pikëpyetje sigurinë e eventit. MPB nuk ishte informuar për këtë ngjarje, ndërsa sipas ligjit, organizatorët kishin për detyrë të siguronin të gjitha kushtet e nevojshme për mbajtjen e sigurt të eventeve të tilla. Në Shkup, sipas fjalëve të Toshkovskit, janë marrë në pyetje dhe janë arrestuar 5 persona, mes tyre edhe një ish-ministër. Ai shtoi se janë kryer bastisje tek të punësuarit në Ministrinë e Ekonomisë, ku janë sekuestruar pajisje elektronike, armë dhe materiale të tjera provuese. Dje, në Shtip janë arrestuar 13 persona, përfshirë pronarin e diskotekës, shitësit e biletave, dy persona nga sigurimi, tre inspektorë të tregut, një inspektor i punës, si dhe zyrtarë policorë. Ai paralajmëroi edhe arrestime të tjera.

“11 persona janë në paraburgim dhe nuk do të ndalemi këtu, ashtu siç po shkon puna. Gjatë ditës së sotme, nuk do të ndalemi me veprimet procedurale, pra kemi konstatuar se sistemi në Maqedoni është i korruptuar në atë nivel sa mund të themi se kemi një situatë katastrofike sa i përket veprimeve institucionale. Një numër i madh institucionesh, të cilat sipas ligjit duhej të monitoronin funksionimin e diskotekës, veçanërisht në aspektin e sigurisë kundër zjarrit, nuk e kanë bërë këtë. Për këtë arsye, gjatë ditës së sotme do të ketë një numër të madh personash që do të arrestohen, si nga MPB-ja, ashtu edhe nga institucione të tjera“ theksoi Toshkovski. Ai shtoi se duhet të tregohet ndërgjegjësim dhe vendosmëri për të gjitha veprimet që duhen ndërmarrë dhe se çdokush që ka përgjegjësi direkte apo indirekte në këtë ngjarje penale do të mbajë përgjegjësi, pa marrë parasysh nëse është ish-zyrtar apo aktual. I pyetur nëse do të kërkohet përgjegjësi edhe nga kryetari i komunës së Koçanit Lupço Papazov, Toshkovski tha se askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia.

“Dje është ftuar në bisedë informative kryetari i komunës së Koçanit dhe me të është zhvilluar bisedë dhe nëse konstatohet se ka bërë diçka të kundërligjshme, do të mbajë përgjegjësi”, theksoi Toshkovski. Ai shtoi se MPB ishte thirrur për zyrtarët që po kryenin kontrolle në lidhje me tregtinë e ndaluar të drogës dhe se ata kishin hyrë në diskotekë disa minuta para se të shpërthente zjarri. “Një polic ndodhej brenda dhe ndihmoi njerëzit të dilnin nga diskoteka. Dy zyrtarët e tjerë ishin jashtë, ndaj nuk u lënduan, por ndihmuan në evakuim” tha Toshkovski. Ai shtoi se, sa i përket orarit të punës, nëse diskoteka duhej të punonte pas mesnate apo jo, sipas rregulloreve ligjore, baret e natës dhe kabaretë kanë të drejtë të qëndrojnë hapur deri në orën 04:00.

BDI: PËRGJEGJËSIA PËR TRAGJEDINË ËSHTË E VMRO-së

BDI ka dënuar ashpër qëllimet për të paraqitur si fajtor ish-ministrin e ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ndërsa theksojnë se përgjegjësia duhet të kërkohet te qeverisja aktuale, e cila ka në kontroll të gjithë sistemin shtetëror. Siç njoftoi nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi, Ministria e Ekonomisë dhe ministri i atëhershëm, Kreshnik Bekteshi, nuk ka lejuar që në mars të vitit 2024 ti lëshohet licencë objektit ku ushtrohej aktiviteti, pikërisht për shkak se në atë kohë nuk plotësoheshin kushtet për një miratim të tillë, pra nuk plotësonte kushtet për miratim të licencës.

“Ministria e Ekonomisë pikërisht për shkak se nuk ishin plotësuar kushtet për lëshimin e licencës dhe nuk ishte dorëzuar dokumentacion i nevojshëm, nuk ka lëshuar licencë. Pretendimet se nëse dikush prej ministrisë së ekonomisë ka lëshuar një licencë të rreme, janë një sajesë e plotë. Nëse dikush, konkretisht, sekretari i shtetit do të merrte para për të lëshuar licencën, do të ishte lëshuar dhe regjistruar në Ministri, por edhe në regjistrin e licencave, i cili përditësohet vazhdimisht çdo muaj, një licencë e tillë nuk regjistrohet”, theksoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.

Sipas Ademit faktet flasin qartë në lidhje me atë se kush është përgjegjës moral dhe penal për ndodhjen e kësaj tragjedie.

“Aksidenti ka ndodhur në kohën kur VMRO-DPMNE ka qenë në pushtet me kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet, si në pushtetin qëndror, poashtu edhe në pushtetin lokal në Koçanë. Është kryetari i komunës së Koçanit nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe shefi i MPB-së të Koçanit, me propozim të kryetarit të komunës”, theksoi Ademi. Ai bri me dije se gjatë këtij viti deri sa VMRO-DPMNE është në pushtet, ndërsa gjatë më tepër se tri viteve ku në krye të komunës së Koçanit është Papazov, kuadër i VMRO-DPMNE-së, në objektin e diskotekës Puls, janë mbajtur një sërë manifestimesh dhe ahengjesh, për të cilat është e pamundur të mos ketë pasur dijeni kreu i kësaj komune. “Në Koçanë si komunë me 31.632 banorë dhe vetëm dy vende që operojnë si klube nate apo kabare, Papazov dhe autoritetet e komunës e dinin dhe ishin të detyruar ta dinin se kompania “MMMM kafe doel Koçani” nuk kishte licencë dhe nuk i plotësonte kushtet”, tha Ademi, duke paralajmëruar se periudhën në vijim do të dalin me dokumente relevante të cilat do të japin përgjigje më të hollësishme se kujt duhet drejtuar gishtin për këtë tragjedi.

MICKOSKI ME PËRGJIGJE NDAJ BDI-së: DO T’IU NGREJMË PËR VESHI

Kryeministri Hristijan Mickoski pas vizitës së pacientëve në qendrën klinike në Shkup ka reaguar ndaj deklaratave të BDI-së, duke thënë se dikush po tenton të politizojë çështjen për të mbuluar punën kriminale që e ka bërë gjatë periudhës kur kanë udhëhequr me institucione.

“Na pret shumë punë. Është e qartë se dikush nuk e ka kryer siç duhet punën dhe tani mundohet që përmes një politizimi ta fsheh punën kriminale viteve të kaluara kur ka udhëhequr me institucione. Nuk do të ketë mëshirë, kushdo që të jetë, çfarë do përkatësi etnike të ketë dhe çfarë do përkatësi partike të ketë. Ajo që ka ndodhur është më shumë se krim. Kjo është një vrasje masive, që dikush e ka lejuar që të ndodh për para, për mito”, theksoi kryeministri Mickoski. I pyetur se meqë diskoteka ka punuar për më tepër se 15 viteve, atëherë kujt do ti kërkohet përgjegjësi, kryeministri u përgjigj se kjo diskotekë ka marrë licencë vetëm dy herë. Ky klub ka pasur vetëm dy herë licencë, njëherë e ka marrë në vitin 2021 dhe një në vitin 2024. Përgjegjësi do të ketë pa marr parasysh se cilës parti politike i takon”, tha Mickoski. Ai madje, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me një dozë nervoze paralajmëroi zyrtarët e BDI-së se do ti arrestojë një nga një nëse janë përgjegjës për këtë rast.

“Tu përgjigjem atyre që mbajnë konferenca në mesnatë. Këtu nuk ka politikë. Do të përgjigjeni të gjithë, që keni vendosur të ushtroni kësi lloj politike në kurriz të qytetarëve dhe të jetëve që këto fëmijë i kanë humbur. Dhe nuk do të kemi mëshirë, nga shtëpia për veshi do ti ngrejmë” shtoi kryeministri.

DORËHIQET KRYETARI I KOÇANIT

Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra pas aksidentit tragjik në Koçan ku humbën jetën 59 persona. “Kjo humbje është e madhe! Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Unë i njihja shumicën prej tyre, i njihja edhe familjet e tyre, ndërsa me disa prej tyre edhe miq të familjes. Tronditja dhe thyerja e zemrës që ndjej do të zgjasë gjithë jetën time. Kjo tragjedi e ka lënë në errësirë ​​Koçanin dhe Maqedoninë, ndërsa boshllëku që ka mbetur është i padurueshëm”, ka shkruar Papazov në Fejsbuk.

Ai kërkon nga institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke shtuar se është plotësisht në dispozicion të institucioneve.

“Mosveprimi është gjithashtu përgjegjësi. Të gjitha detajet duhet të hetohen, të gjitha lëshimet duhet të gjenden dhe të gjithë personat që kontribuuan në këtë tragjedi duhet të mbajnë përgjegjësi. Unë vihem plotësisht në dispozicion të institucioneve. Edhe pse sipas ligjit nuk kam pasur kompetenca të drejtpërdrejta në këtë rast, jam i gatshëm t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve për gjithçka, si dhe për veprimet e mia personale, shkruan Papazov.

Nëse ka ndonjë bazë për përgjegjësinë time, thotë Papazov, i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë dhe të veprojë në përputhje me ligjin.

“Për mua, pas kësaj tragjedie, asgjë nuk ka më të njëjtin kuptim! Këta ishin fëmijët tanë! Shumëkush, me të drejtë, e vunë re pse dje nuk dola në opinion gjithë ditën. Por ata që më njohin e dinë se sa i thyer jam dhe si e përjetoj atë që ndodhi. Është e vështirë dhe do ta kem të vështirë ta mbijetoj. Kam punuar me ndershmëri dhe përkushtim gjithë jetën! Asnjëherë nuk e kam menduar se angazhimi im do të përfundojë kështu, por tani po largohem nga kjo pozitë, duke e lutur Zotin për shpirtrat e fëmijëve tanë, për familjet e tyre dhe për popullin e Maqedonisë!”, ka shkruar Papazov.

TARAVARI: GJENDJA E PACIENTËVE QË NDODHEN NË VEND ËSHTË STABILE

Përndryshe, për momentin janë të hospitalizuar gjithsej 135 pacientë, 84 ndodhën në klinikat e Shkupit, ndërsa 54 pacientë janë dërguar për kurim jashtë vendit. Ministri i shëndetësisë Arben Taravari bëri me dije se të gjithë pacientët që janë hospitalizuar në spitalet e vendit por edhe jashtë shtetit janë në gjendje stabile. “Gjendja e Pacientëve që dje ishin te hospitalizuar është relativisht stabile, fatmirësisht asnjë prej pacientëve nuk ka pas komplikime. Deri tani në klinikat e Shkupit ka 84 pacientë, 51 pacientë janë jashtë vendit. Në Turqi janë 9 pacientë, në Bullgari 14, në Greqi 5, në Serbi 17, në Hungari 2 dhe në Romani 4. Sot shpresoj se do të shkojnë edhe një fluks i pacientëve në Slloveni 4, në Kroaci 4, në Austri 6 dhe në Beograd edhe 12 pacientë”, njoftoi Taravari. Ai më tej potencoi se ka pacientë që kërkojnë ekzaminime edhe gjatë ditë së sotme.

“Gjithashtu ka edhe disa raste të reja, kemi pacientë që dje nuk janë paraqit aspak te mjeku por sot kanë paraqitur simptome të caktuara dhe janë paraqitur dy pacientë në Shtip. Sot mendoj se situata është nën kontroll, kanë arritur mjek nga disa shtete tjera. Do ti shpërndajmë nëpër Klinikat ku ka nevojë që të punojnë bashkë me mjekët tanë dhe ti shpërndajnë përvojat e tyre”, deklaroi ministri i shëndetësisë. Taravari njoftoi se 15 mjekë nga vende të ndryshme, ndodhen në Maqedoninë e Veriut, për të ndihmuar stafin mjekësor.

“Tashmë kanë mbërritur mjekë nga më shumë shtete. Nga Çekia, nga Izraeli do vijnë, nga Beogradi kanë ardhur. Rreth 15 kolegë tashmë janë në Maqedoninë e Veriut. Do t’i shpërndajmë nëpër klinikat ku ka më tepër nevojë, që të punojnë bashkë me kolegët tanë dhe ta shpërndajnë përvojën e tyre që e kanë nga shtetet e tyre”, tha mes tjerash Taravari. Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetsor Sasho Klekovski informoi se pjesa më e madhe e pacientëve të hospitalizuar janë me djegie trupore të shkallës së dytë dhe të tretë, edhe atë në një sipërfaqe të trupit prej 10, 20, dhe 30 përqind, ndërsa ka njoftuar se faza e parë që është hospitalizimi dhe pranimi i pacientëve ka përfunduar qysh ditën e djeshme dhe se tani ndodhemi në fazën e dytë, atë të trajtimit. Sa i përket kritikave për mungesën e qendrave kundër djegies, Klekovski me përgjigje: “Megjithatë edhe po të kishim do të numëronin ndoshta 4 apo 5 bokse, dhe sigurisht që sërish nuk do të mund të kishim për trajtimin e menjëhershëm të 150 apo 160 pacientëve menjëherë. Kjo do të thotë se ne çdo qendër mjekësore apo spital ku pranohen pacientë me lëndime të tilla dhe djegie, pranohen nga 4, 5 apo 6 pacientë dhe jo me tepër. Dhe sa i përket fazës së tretë që ka të bëje me infektimet, respektivisht bëhet fjalë për dëmtime të mëdha të lekurës, andaj ato duhet të trajtohen me kujdes jashtëzakonisht të madh, të vendosur në dhoma sterile”.

BE KOORDINON EVAKUIMIN MJEKËSOR TË VIKTIMAVE

Në ndërkohë, Bashkimi Evropian ka filluar evakuimin e pacientëve me djegie të rënda pas zjarrit shkatërrues në një klub nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut ku jetën e humbën 59 persona, ndërsa mbi 155 u lënduan, njoftoi dje Drejtoria e përgjithshme për mbrojtje civile dhe ndihmë humanitare të Komisionit Evropian (ECHO).  Në orët e para pas fatkeqësisë, Qendra për koordinim për reagim emergjent të BE-së kontaktoi autoritetet e mbrojtjes civile në Maqedoninë e Veriut, duke shprehur solidaritet dhe mbështetje, thuhet në kumtesë. Maqedonia e Veriut ka aktivizuar zyrtarisht Mekanizmin e mbrojtjes civile të BE-së, duke kërkuar evakuimin urgjent të 15 pacientëve me djegie të rënda. Si përgjigje, nëntë vende evropiane – Kroacia, Greqia, Rumania, Sllovenia, Suedia, Lituania, Hungaria, Luksemburgu dhe Norvegjia – ofruan menjëherë ndihmë përmes këtij mekanizmi.

Disa të lënduar tashmë janë transferuar në Hungari me mbështetjen e Luksemburgut, ndërsa Rumania po transporton pacientë në Lituani. Bashkimi Evropian vazhdon të koordinojë transportin e pacientëve të mbetur drejt vendeve që kanë ofruar trajtim mjekësor. Komisarja evropiane për gatishmëri, menaxhimin e krizave dhe barazi, Haxha Labib, shprehu ngushëllimet dhe theksoi solidaritetin evropian. “Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit. BE-ja qëndron krah për krah me popullin e Maqedonisë së Veriut në këto momente të vështira. Falënderoj vendet evropiane që ofruan menjëherë trajtim dhe mbështetje përmes Mekanizmit tonë të mbrojtjes civile. BE-ja mbetet në kontakt të ngushtë me autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe është e gatshme të mobilizojë ndihmë shtesë nëse është e nevojshme, thuhet në kumtesën e ECHO-s. (Ersan PAJAZITIkoha.mk)

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit