Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara vendosi që Departamenti për Efikasitet Qeveritar (DOGE) me gjasë e ka shkelur Kushtetutën kur tentoi ta mbyllë Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), dhe e urdhëroi DOGE-n të mos e ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm kundër kësaj agjencie.
Gjykatësi i Qarkut në Mariland, Theodore Chuang, përmes një vendimi fillestar, e urdhëroi këshilltarin e presidentit amerikan Donald Trump, Elon Musk, dhe agjencinë që ai e udhëheqë që t’ia kthejë qasjen në sistemin kompjuterit të USAID-it punonjësve me kontratë të agjencisë – përfshirë mijëra punonjësve që u pezulluan nga puna në fund të shkurtit.
Ky vendim vjen pas padisë së ushtruar nga punonjësit dhe ish-punonjësit e USAID-it, të cilët pretendojnë se Musku dhe DOGE nuk kishin autoritet për ta mbyllur agjencinë e mandatuar nga Kongresi amerikan.
“Vendimi i sotëm është fitore e rëndësishme kundër Elon Muskut dhe sulmit të tij përmes DOGE-it ndaj USAID-it, Qeverisë amerikane dhe Kushtetutës”, tha Norm Eisen, kreu i Fondit për Mbrojtjen e Demokracisë Shtetërore dhe avokat i 26 paditësve anonimë në këtë çështje.