Kryetari i dorëhequr i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, dhe dy ish-kryetarët e qytetit, Nikolço Iliev dhe Ratko Dimitrovski, janë arrestuar pas tragjedisë që ndodhi më 16 mars 2025, kur një zjarr shpërtheu në diskotekën “Puls” dhe i mori jetën 59 personave. Zjarri ka lënë edhe rreth 200 të plagosur, ndërsa hetimet kanë zbuluar se diskoteka funksiononte ilegalisht për më shumë se 10 vjet, gjë që dyshohet se ishte mbuluar nga autoritetet lokale.
Sipas informacionit të Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit, arrestimet erdhën pasi u zbuluan prova që tregojnë se kryetarët e mëparshëm dhe aktualë ishin të vetëdijshëm për veprimtarinë e paligjshme të lokalit dhe nuk morën masa për ta mbyllur atë. Prokuroria është angazhuar në hetime të mëtejshme për të zbardhur shkaqet e tragjedisë dhe për të mbajtur përgjegjës ata që ndihmuan në mbulimin e paligjshmërisë.