Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një ankesë në Gjykatën Supreme pas refuzimit të kërkesës së saj nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke akuzuar LDK-në për manipulim të votave të ardhura me postë.
Ajo kërkon anulimin e 18,933 votave të LDK-së dhe rivotimin e tyre. Vetëvendosje thekson se vetëm pranimi i ankesës mund të rivendosë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe kërkon një vendim që të parandalojë manipulimet në të ardhmen.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! duke qenë e bindur dhe duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës, sot brenda afatit ligjor ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën e saj në lidhje me këtë proces.
Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së.
Faktet kanë dëshmuar për një vjedhje industriale të votave dhe presim nga Gjykata Supreme që të korrektojë vendimin e padrejtë të PZAP-së e të marrë vendimin e duhur për ta parandaluar një precedent të tillë në të ardhmen,” thuhet më tej.