Britania e Madhe po merr në shqyrtim mundësinë e dërgimit të azilkërkuesve në Ballkanin Perëndimor. Propozimet aktuale janë të fokusuara në vendet që përfshin ky rajon si, Shqipëria, Serbia apo dhe Bosnjë-Hercegovina.
BBC shkruan se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë nisur të diskutojnë planin për të strehuar azilkërkuesit, të cilëve u janë refuzuar kërkesat dhe apelimet.
Sipas një burimi qeveritar cituar nga BBC, do të paguhet vendi pritës për çdo person që do të largohet. Qendrat jashtë shtetit do t’i mundësonin qeverisë të largojë azilkërkuesit që vijnë nga vende që konsiderohen të pasigurta për ta për t’u kthyer, si Irani dhe Somalia.
Komisioni Europian paraqiti në fillim të muajit maj një propozim për vendet anëtare që të marrin si shembull marrëveshjen mes Shqipërisë e Italisë duke e konsideruar si inovative për çështjen e menaxhimit të migracionit.