Pas ndeshjes ndaj Anglisë në stadiumin “Wembley”, disa anëtarë të grupimit “Tifozat KuqeZi” i janë drejtuar kapitenit të kombëtares, Berat Gjimshiti, duke u ankuar për situatën e krijuar me biletat.
Ata e akuzojnë Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) se i ka lënë pa bileta për përballjen me Andorrën në “Arenën Kombëtare”. Tifozët, të cilët prej 21 vitesh kanë mbështetur Kombëtaren, dëgjohen t’i kërkojnë Gjimshitit që të ndërhyjë për të ndryshuar vendimin e FSHF-së.
Mbrojtësi kuqezi i pyet nëse ky problem është shfaqur vetëm për ndeshjet jashtë Shqipërisë apo edhe për ato që zhvillohen në Tiranë. Tifozët i përgjigjen se pas sfidës me Anglinë nuk kanë më mundësi të rezervojnë bileta për grupin TKZ.
Gjimshiti u premton se do të diskutojë këtë çështje me Federatën. “Tifozat KuqeZi” pretendojnë se u është mohuar e drejta për bileta si pasojë e qëndrimit të tyre kundër zhvillimit të Kampionatit Europian U-21 në Shqipëri, ku do të marrë pjesë edhe Serbia.