Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli ka reaguar në rrjetin e tij social në facebook në lidhje me skandalin e 18.3 tonëve fileto pule me salmonelë nga Brazili që u kap në Portin e Durrësit.
Resuli shprehet se Ministria e Bujqësisë po fesh skandalin. Ai thotë se nuk bëhet për një rast neglizehnce por për një akt kriminal. Gjithashtu akuzon ministrinë dhe thotë se AKU nuk informoi qytetarët dhe nuk mori asnjë masë të menjëhershme për të ndaluar produktin dhe tërheqjen e tij nga tregu.
“Fshehja e rastit nga Ministria e Bujqësisë, AKU dhe ISUV lë dyshime të forta se biznesit i është dhënë kohë për të shitur produktin dhe për të helmuar qytetarët me vetëdije të plotë. Ky nuk është më një rast neglizhence, por një veprim kriminal, që kërkon një hetim të thelluar nga SPAK, nga A deri në Zh! Sa raste të tjera janë fshehur? Sa herë qytetarët shqiptarë janë bërë kavie eksperimentale të një sistemi të kalbur që nuk kontrollon as ushqimin që importohet dhe as atë që prodhohet brenda vendit?
Ky nuk është vetëm një skandal, është një kërcënim direkt për jetën e qytetarëve dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi! Ky shtet nuk mund të vazhdojë të heshtë ndërsa populli ushqehet me mish të infektuar, peshk me parazitë dhe fruta-perime të stërmbushura me pesticide! Është koha që drejtësia të veprojë dhe të ndëshkojë ata që janë përgjegjës për këtë katastrofë! SPAK duhet të nisë hetimet urgjentisht, sepse ky është një krim kundër qytetarëve shqiptarë!”, shkruan Resuli.