Kriminelët shqiptarë po përdorin TikTok për të reklamuar mundësi pune që mund të sjellin deri në 100,000 £ në vit për individët që pranojnë të punojnë si tregtarë droge.
Sipas artikullit të fundit nga e përditshmja britanike “The Sun“, reklamat e postuara online premtojnë pagesa të mëdha, deri në 6,000 £ në muaj, pa taksa, për ata që janë të gatshëm të shpërndajnë kokainë dhe kanabis në një rrjet të organizuar që shtrihet nga Glasgow në jug të Anglisë.
Një shembull i tillë është i Shqiptarit Pajtim Oruci, 32 vjeç, i cili u arrestua pasi pranoi se drejtonte një fermë kanabisi në Widnes.
TikTok po bëhet një platformë e rëndësishme për bandat e drogës që reklamojnë mundësi pune për dërgimin e kokainës për 200 £ në ditë, duke ofruar shpërblime të mëdha për punëtorët që janë të gatshëm të angazhohen në aktivitete kriminale. Disa postime shfaqin mesazhe me temë Union Jack, duke theksuar shpërndarjen e drogës dhe mundësitë e punës për individë që mund të punojnë deri në 7 ditë në javë, duke ofruar makina dhe karburant falas.
Në një postim, përdoruesit shpesh përdorin emoji si flokë bore për të simbolizuar kokainën, ndërsa edhe pemët e Krishtlindjeve dhe bimët në vazo janë pjesë e këtij kodi të fshehur, duke ndihmuar tregtarët të mbeten të padukshëm për autoritetet.