Kreu i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Lamberto Zannier ka mbërritur ditën e sotme në Tiranë. Zannier ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashrtëm, Igli Hasani, teksa në orën 14:00 pritet të zhvillojë një takim edhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Në 12 maj në mesditë, një ditë pas zgjedhjeve, pritet raporti paraprak i misionit për zgjedhjet, që do të pasohet pak muaj më pas me raportin përfundimtar. Zannier ka shërbyer më herë në Kosovë si shef i misionit të UNMIK nga viti 2008 deri në vitin 2011, post që e la pas emërimit si Sekretar i Përgjithshëm.
Ndërkaq, një delegacion prej pesë anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i kryesuar nga Simone Billi (Itali, ECPA), do të bëjë një vizitë parazgjedhore në Shqipëri në datat 3-4 prill për të vlerësuar fushatën zgjedhore dhe klimën politike përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në Tiranë, delegacioni do të takohet me Kryetaren e Kuvendit, drejtues dhe përfaqësues të grupeve kryesore parlamentare dhe të partive kryesore politike jashtëparlamentare, si dhe me delegacionin shqiptar në APKE.
Janë planifikuar gjithashtu takime, veçanërisht me kreun dhe zëvendëskryetarin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe me përfaqësues të komunitetit diplomatik, shoqërisë civile dhe medias.
Delegacioni pritet të lëshojë një deklaratë në fund të vizitës. Një delegacion i plotë prej 20 anëtarësh do të udhëtojë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet e 11 majit.