Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan Palushi ishte sot i ftuar në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama. Rrëfeu jetën e tij, rrugëtimin, si e nisi dhe si arriti në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare.
“Ne kemi njohje shumë të vjetër dhe kemi folur për këto tema duke bërë ecejake mbrëmjeve në rrugën Myslym Shyri deri pas mesnate, flitet për vitet 80 dhe as nuk mendohej që ne do të dilnim në botën e lirë dhe do të kishim lirë të praktikonim fenë.
Ju kishit një fjali shumë të thjeshtë kumbuese, që unë do të bëhem prift”- i kujtoi Edi Rama.
Kryepeshkopi Joan tha se “unë vij nga një familje shumë e madhe dhe jo e krishterë, në atë kohë nuk praktikohej asnjë lloj besimi. Nuk ishte konvertim.
Kur lexova për herë të parë Ungjillin, në vitin e 4 të gjimnazit ndodhi diçka thellë brenda meje. Mu kthye sërish gëzimi i fëmijërisë. Në atë çast jeta ime ndryshoi.
Pata fatin të njihesha edhe me njerëz që kishin akses në libra të tilla. Bindja për t’u bërë prift lindi atëherë” tha ai.