Policia e Tiranës ka sqaruar shoqërimin e kreut të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi. Sipas policisë, ata kanë shkuar për një kontroll pas informacioneve se aty luhej në lojëra fati të basteve sportive. Policia thotë se Alimadhi ka kundërshtuar efektivët dhe ata e kanë shoqëruar për shkak të kundërshtimit të punonjësit të rendit publik.
“Ky shtetas dyshohet se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës” njofton policia. Gjithashtu në njoftim thuhet se edhe AMP po analizon pamjet dhe po shqyrton pretendimet e paraqitura nga Adriatik Alimadhi.