Donald Trump, presidenti më i vjetër i zgjedhur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara, u kritikua gjatë mandatit të tij të parë për mungesë transparence në lidhje me shëndetin e tij. 78-vjeçari Trump siguroi të premten se është në “gjendje të shkëlqyer” pas kontrollit të tij vjetor mjekësor.
“Në përgjithësi, u ndjeva sikur isha në formë shumë të mirë. Një zemër e mirë, një shpirt i mirë, një shpirt shumë i mirë” u tha Trump gazetarëve që e shoqëronin në Air Force One gjatë fluturimit nga Uashingtoni në Florida.
Si pjesë e një kontrolli të planifikuar në Spitalin Ushtarak Walter Reed, Trump tha se përveç kontrollit kardiak, ai iu nënshtrua edhe një testi njohës, sepse ai është “ndryshe nga Biden”.
Gjatë fushatës zgjedhore, Donald Trump vazhdimisht sfidoi Joe Biden që t’i nënshtrohej një vlerësimi kognitiv, duke vënë në pikëpyetje gjendjen e tij mendore.
“Nuk di çfarë t’ju them, përveçse kam marrë të gjitha përgjigjet e duhura”, u tha Trump gazetarëve.
Donald Trump nuk pi pije alkoolike dhe duhan, por nuk e ka fshehur se konsumon pije joalkoolike dhe është adhurues i ushqimit të shpejtë.
Ai është kritikuar nga kundërshtarët e tij për mungesë transparence në lidhje me shëndetin e tij, veçanërisht kur, gjatë muajve të fundit të mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai u shtrua në spital për disa ditë me Covid-19.
Ish-mjeku i tij personal Harold Bornstein pretendoi në vitin 2018 se Trump i kishte diktuar atij në dhjetor 2015 një opinion që thoshte se shëndeti i tij ishte i shkëlqyer.