Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka shprehur “shqetësim serioz” lidhur me, siç u tha, “vendimin e shprehur verbalisht” të shefit të diplomacisë së Sudanit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e pushtetit aktual në Sudan. “Situata aktuale politike në Sudan, e karakterizuar nga pasiguria dhe mungesa e legjitimitetit të pushtetit aktual, vë në dyshim vlefshmërinë e vendimeve të tilla ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Ministria ka vlerësuar se është “i diskutueshëm kapaciteti i Qeverisë aktuale të Sudanit për të marrë vendime me rëndësi jetike për marrëdhëniet ndërkombëtare”. Ajo e ka cilësuar këtë vendim si “shkelje të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, dhe ka bërë thirrje që Qeveria e Sudanit ta rishqyrtojë vendimin e saj.
Me njohjen nga Sudani, numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës tani arrin në 119. Kjo është njohja e dytë brenda disa javëve, pas asaj nga Kenia në fund të Marsit.