Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive, si rrjedhojë e mosvotimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave të deputetëve.
Me anë të reagimit, Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Kuvendi duhet të konstituohet dhe përgjegjësia kryesore bie mbi LVV-në. Sipas tyre dështimi i seancë është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës.
Gjithashtu Instituti Demokratik i Kosovës thotë se vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më parë, brenda afatit 48-orësh, për të mundësuar sërish mbledhjen e komisionit të përkohshëm, i cili duhet t’i shqyrtojë dhe verifikojë edhe një herë materialet përkatëse – të cilat duhet të jenë të plota.
“Më pas, është përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve që të votojnë pro raportit dhe të japin betimin. Në fund, LVV, si parti fituese, ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – përmes diskutimeve, negocimit dhe kompromisit politik – në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve dhe të shmangen zgjedhjet e reja”, thuhet në reagim.